Diafragma është një metodë kontracepsioni.
Diafragma është një kësulë silikoni me një unazë elastike. Ajo mbulon hyrjen e mitrës (qafa e mitrës) dhe pengon spermatozoidin që të mos arrijë vezëzën.
Diafragmat prodhohen në lloje dhe madhësi të ndryshme. Diafragmën mund t'jua vendosë një mjek, por ka edhe diafragma që prodhohen në një ose disa madhësi standarde. Mund të blini një diafragmë në farmaci pa recetë.
Si përdoret një diafragmë?
Vendosni diafragmën brenda në vaginë para penetrimit. Bëjeni në mënyrën e mëposhtme:
- Vendosni një xhel të veçantë (spermicid) në brendësi të diafragmës. Xheli i vret spermatozoidet ose i ngadalëson ato. Xheli rrit mbrojtjen.
- Paloseni diafragmën më dysh dhe futeni atë maksimumi 2 orë para marrëdhënies seksuale.
- Futeni diafragmën thellë në vaginë, mbi hyrjen e mitrës. Mbajeni anën bosh të diafragmës në drejtim të mitrës. Qafa e mitrës duhet mbuluar.
- Hiqeni diafragmën 6 deri në 24 orë pas ejakulacionit. Tërhiqeni poshtë dhe jashtë.
- Lajeni me ujë të ngrohtë dhe thajeni.
Është më pak e sigurt kur nuk përdoret siç duhet
Kur një diafragmë përdoret siç duhet, ajo është një metodë kontracepsioni shumë e sigurt. Por, shpesh diafragma nuk përdoret në mënyrën e shpjeguar më sipër. Në këtë rast, ajo është më pak e sigurt. Për më tepër, diafragma funksionon vetëm nëse përdorni masën e duhur. Nëse shtoni ose humbisni më shumë se 5 kilogram në peshë, duhet të bëni një kontroll për të parë nëse ju duhet një diafragmë me masë tjetër. Zakonisht do t'ju duhet një masë e re pas lindjes.
Nuk duhet ta përdorni diafragmën gjatë 6 javëve të para pas lindjes. Pyesni një mjek për këshilla.
Nuk ofron mbrojtje nga IST-të dhe virusi HIV
Diafragma nuk mbron nga IST-të ose virusi HIV. Vetëm një prezervativ mund t'ju mbrojë.
Blerja e diafragmës
Mund të blini Femcap ose Caya në një farmaci.
Duhet të bëni vizitë te mjeku për një diafragmë të përshtatshme për masën tuaj.
Caya është një diafragmë në 1 masë standarde. Ajo kushton € 30 deri në € 35. Një tubet spermicidi kushton € 8 deri në € 10. Nuk keni nevojë për recetë.
Mund t'i blini diafragmat dhe spermicidet edhe në internet.