Dhunë bazuar në nder
Në Holandë, ushtrimi i dhunës me bazë nderi ose bashkëpunimi në këtë lloj dhune në ndonjë mënyrë (të qenit bashkëpunëtor), është e ndaluar me ligj. Mund të dënohet me burg.
Nëse jeni viktimë e dhunës me bazë nderi ose nëse rrezikoni të bëheni viktimë, mund të kërkoni ndihmë. Në gjithë Holandën ekzistojnë organizata të quajtura Veilig Thuis (I sigurt në shtëpi) të cilat ofrojnë strehim, këshilla dhe mbështetje. Ata mund t’ju shoqërojnë në polici, te mjeku ose në gjykatë. Kur kontaktoni Veilig Thuis, nuk jeni të detyruar të jepni emrin tuaj. Mund të merrni ndihmë dhe këshilla në mënyrë anonime dhe falas.
Nëse ndodheni në një situatë emergjente dhe keni frikë se do të ushtrohet dhunë, mund të shkoni në një strehë (Blijf van mijn lijf huis). Personit që kërcënon të ushtrojë dhunë në familje ose të abuzojë me fëmijët mund t’i jepet një urdhër përjashtimi në familje (huisverbod), që e ndalon atij person të hyjë në shtëpi për një periudhë prej 10 ditësh. Kjo periudhë gjithashtu mund të zgjatet deri në 4 javë.
Ju mund të shkoni në polici menjëherë të paraqisni një ankesë. Ata janë të detyruar të respektojnë privatësinë tuaj. Nëse keni frikë se do të ndodhë dhuna ose hakmarrje e mëtejshme, policia mund t’ju mbrojë. Policia gjithashtu mund t’i japë autorit të dhunës një urdhër të përkohshëm të përjashtimit nga familja (huisverbod). Policia është e detyruar t’ju trajtojnë në mënyrë të respektueshme dhe të saktë.
Sipas ligjit, nëse jeni pa status të qëndrimit ligjor, policia duhet t’ju trajtojë me të njëjtin respekt si viktimat e tjera. Policia nuk do t’ju arrestojë nëse nuk keni leje qëndrimi dhe ju mund ta raportoni krimin në mënyrë anonime. Nëse dëshironi, një punonjës social ose profesionist tjetër mund t’ju shoqërojë.