Çfarë janë të drejtat seksuale dhe riprodhuese?
Të drejtat seksuale dhe riprodhuese janë pjesë e të drejtave të njeriut. Të drejtat e njeriut janë të shkruara në ligje dhe traktate ndërkombëtare dhe janë nënshkruar nga pothuajse çdo vend në botë. Edhe Holanda i ka nënshkruar ato dhe duhet t’i respektojë këto të drejta.
Të drejtat seksuale
Kur respektohen të drejtat seksuale, njerëzit janë në gjendje të gëzojnë marrëdhënie seksuale dhe lidhje dashurie të kënaqshme dhe të sigurta.
Kjo do të thotë që këto marrëdhënie nuk duhet të kenë shtrëngime ose dhunë dhe të mos ekzistojë frika e infeksionit ose shtatzënisë së padëshiruar.
Të drejtat riprodhuese
Shëndeti riprodhues lidhet me shtatzëninë, lindjen dhe vendimin nëse doni të lindni fëmijë dhe kur. Kur respektohen të drejtat riprodhuese, njerëzit mund të zgjedhin nëse dhe kur duan të mbeten shtatzënë, nëse duan të përdorin kontracepsion ose të bëjnë abort.
Çfarë janë këto të drejta themelore seksuale dhe riprodhuese?
E drejta për jetën
Ju keni të drejtë të merrni kujdesin më të mirë të mundshëm gjatë shtatzënisë dhe lindjes. Profesionistët e kujdesit shëndetësor do të bëjnë gjithçka që munden për të mbrojtur jetën dhe shëndetin tuaj dhe të fëmijës suaj.
E drejta për liri dhe siguri personale
Ju keni kontroll mbi trupin tuaj dhe jetën tuaj seksuale. Ju keni të drejtë të shijoni seksualitetin tuaj dhe jeni të lirë të vendosni nëse doni të lindni fëmijë dhe kur.
Kjo gjithashtu do të thotë që detyrimi, sjellja seksuale abuzive dhe shfrytëzimi janë të ndaluara me ligj.
E drejta për barazi
Ju keni të drejtë të trajtoheni në mënyrë të barabartë dhe të mos diskriminoheni për shkak të origjinës suaj etnike ose kombëtare, për shkak të fesë ose pikëpamjeve tuaja politike, gjendjes shëndetësore, orientimit seksual, faktit që jeni burrë ose grua ose për çfarëdo arsye të mundshme. Burrat dhe gratë kanë të drejta të barabarta.
E drejta për privatësi
Ju keni të drejtën për të bërë zgjedhjet tuaja në lidhje me seksualitetin, pa frikë nga reagimet negative apo persekutimit. Kjo do të thotë që profesionistët në kujdesin shëndetësor dhe shërbimet sociale duhet të respektojnë privatësinë tuaj. Ata janë të detyruar sipas ligjit të mbajnë informacionin tuaj konfidencial. Është e ndaluar të ndahen rezultatet e një testi të HIV me njerëz të tjerë nëse personi i testuar nuk ka dhënë lejen për këtë.
E drejta e lirisë së mendimit
Ju keni të drejtë të keni mendimin tuaj për seksualitetin dhe shëndetin seksual dhe keni të drejtë të flisni për këtë.
E drejta e informimit dhe të edukimit
Ju keni të drejtën të merrni të gjithë informacionin dhe edukimin që ju duhet për t’u kujdesur për shëndetin tuaj seksual dhe riprodhues. Për shembull: informacion lidhur me mënyrën se si funksionon trupi juaj, lidhur me kontracepsionin dhe lidhur me infeksionet seksualisht të transmetueshme (IST).
E drejta për t’u martuar ose jo dhe për të filluar dhe planifikuar një familje
Askush nuk ka të drejtën t’ju detyrojë ose të marrë këto vendime në emrin tuaj. Ju mund të zgjidhni se me kë dëshironi të martoheni.
E drejta për të pasur fëmijë ose jo
Ju keni të drejtë të keni qasje në kontracepsion, si për shembull pilula kontraceptive, IUD ose prezervativë.
E drejta për kujdes shëndetësor
Në Holandë, të gjithë, përfshirë njerëzit që nuk kanë leje qëndrimi, kanë të drejtë për kujdes shëndetësor. Nëse jeni pozitiv me HIV, qeveria holandeze nuk mund t’ju dërgojë në një vend ku nuk mund të vazhdoni trajtimin tuaj.
E drejta e lirisë së pjesëmarrjes në kuvend dhe pjesëmarrjes politike
Ju keni të drejtën për t’u mbledhur me njerëz të tjerë për të folur për të drejtat seksuale dhe riprodhuese dhe për të ndërmarrë veprime për të siguruar që këto të drejta të respektohen. Ju keni të drejtën për të rritur ndërgjegjësimin ose t’u kërkoni politikanëve të marrin vendime për të garantuar këto të drejta.
E drejta për të qenë të lirë nga tortura dhe keqtrajtimi
Ju keni të drejtë të mbroheni nga të gjitha format e dhunës që lidhen me seksualitetin, si ngacmimi seksual, sulmi seksual ose përdhunimi, trafikimi i qenieve njerëzore, abuzimi i fëmijëve ose gjymtimi gjenital femëror.